Kapet me pistolete prane PS Vladimir Gjuta

2020-02-17 3

Pak minuta para nisjes së mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, një person me precendentë të meparshëm penalë u kap para selisë rozë, me një armë pa leje dhe me një shumë të madhe parash.

Bëhet fjalë për Vladimir Gjutën, i arrestuar si i dyshuar për hedhjen në erë me tritol të farmacisë së babait të ish?ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, në vitin 2015.

Ai u ndalua nga efektivët e Gardës, që ndodheshin aty për të garantuar sigurinë e Kryeministrit, i cili në atë kohë ndodhej në selinë e Partisë Socialiste, për të drejtuar mbledhjen.

Gardistët kishin krijuar dyshime për lëvizjet e Gjutës, i cili mbante një kapele dhe një çantë ku kishte afro 100 mijë Euro.

Ndërsa pistoleta iu gjet në brez. Ajo kishte një fishekë në gojë, gati për të qëlluar dhe karikatorin e mbushur plot.
Ky fakt i ka alarmuar gardistët. Edhe pse nuk ka ende të dhëna që kjo ngjarje të ketë lidhje me mbledhjen e Kryesisë, Garda është vënë në lëvizje për të garantuar sigurinë e Kryeministrit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Kryeministri është larguar me një makinë tip fuoristradë dhe jo me Mercedesin që përdor zakonisht.
Por zyrtarisht nuk është e konfirmuar që kjo të ketë qenë pjesë e protokollit që Garda ndjek në raste kur beson se mund të cënohet siguria e kreut të qeverisë.

Vetë Gjuta ka deklaruar se ndodhej në zonë për të dorëzuar paratë në një exchange pranë selisë së Partisë Socialiste dhe se nuk kishte lidhje me prezencën e eksponentëve të lartë socialistë, të pranishëm në seli.
Edhe armën, ai u tha oficerëve të policisë, se e kishte marrë me vete për shkak të shumës së parave që kishte për të dorëzuar.
Policia që po heton ngjarjen, po kërkon edhe burimin e parave.
Vladimir Gjuta u arrestua një muaj më parë pasi kishte rrahur me çekiç kushëririn e tij duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.
Për shkak se i afërmi i tij është tërhequr nga denoncimi, gjykata vendosi që ai të hetohej në gjendje të lirë.