Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të Bashkimit Europian takohen mbrëmjen e sotme në Bruksel për të përgatitur samitin e Zagrebit që mbahet nga 5 deri në 7 Maj dhe që do t?i kushtohet perspektivës së zgjerimit unionit.
Samiti jozyrtar i Brukselit i thirrur nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të fokusohet te diskutimi i metodologjisë së re të zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Europian në 5 Shkurt. Aty do të marrin pjesë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovi?.
Samiti jozyrtar për Ballkanin zhvillohet në një atmosferë pozitive për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Siç e kishte paralajmëruar kryeministri kroat Plenkovi? në 9 Janar, Franca do të mbante një qëndrim pozitiv nëse metodologjia e re e Komisionit Europian për zgjerimin do të mirëpritej.
Në konferencën e sigurisë së Mynihut, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nëse vlerësimi i Komisionit Europian për përparimin e reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është pozitiv, atëherë vendi i tij do të jetë pro hapjes së negociatave me të dy vendet.
Burime të Bashkimit Europian në Bruksel shprehen se metodologjia e rishikuar e zgjerimit mirëpritet edhe nga Holanda dhe Danimarka. Por për të dhënë dritën jeshile, të dyja vendet presin raportin e Komisionit Europian mbi evolucionin e reformave në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, që do të prezantohet në fund të Shkurtit.
Tv Klan