Afro 100 shtete do të jenë pjesë e Konferencës së Donatorëve ?Bashkë për Shqipërinë?, që do të mbahet pasditen e 17 Shkurtit në Bruksel, organizuar nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leji.
Mësohet se pjesë e konferencës do të jenë dhe përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo BERZH.
Takimi do të nisë me firmosjen e marrëveshjes për fondin prej 15 milionë eurosh, që Komisioni vendosi për të ndihmuar vendin tonë, për të përballuar kostot e tërmetit.
Pas takimit, ku qeveria shqiptare synon të gjejë mbështetje financiare për të bërë të mundur zbatimin e programit të rindërtimit, fatura financiare e të cilit e kalon 1 miliardë euro, Kryeministri Rama dhe presidentja Van Der Lejn është parashikuar të dalin përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp.
Që pas tërmetit të 26 Nëntorit, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një tur lobues në shumë vende të Europës për të marrë mbështetje maksimale financiare në Konferencën e Donatorëve, si në Gjermani, Itali, Bruksel, ndërsa shfrytëzoi dhe Samitin për Sigurinë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Mynih, ku u takua mes të tjerësh dhe me Kryeministrin e Kanadasë, të Kuvajtit dhe atë të Arabisë Saudite.
Tv Klan