Pompeo leter Kurtit: Hiq taksen ndaj mallrave serbe

2020-02-13 0

Marrjen e detyrës së re si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurtit ia ka uruar përmes një letre edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Megjithatë nëpërmjet kësaj letre, ai ka kërkuar nga Kurti heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe rifillimin e dialogut. Sipas tij, tashmë është koha të realizohen raportet normale me Serbinë me njohje reciproke.
"Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit".
Kryeministri Kurti vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e tij se taksën do ta zëvendësojë me masa reciprociteti ndaj Serbisë. Në një intervistë në Rubikon të KTV-së, Kurti ka thënë se nuk e di sa kohë do të marrë çështja e zëvendësimit të taksës me reciprocitet.
"Njëherë do ta shpalosim përmbajtjen e reciprocitetit, do t'i njoftojmë faktorët ndërkombëtarë dhe Beogradin. Në MTI gjendet një dosje që ne duhet ta gjejmë, të shkeljeve të marrëveshjeve CEFTA nga ana e Serbisë. Pafund barrierë jo tarifore i ka vënë mallrave të Kosovës, Serbia".
Para se të niset për në Mynih të Gjermanisë në Konferencën për Siguri, Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një ftesë Presidentit Hashim Thaçi, për t'u takuar dhe për t'i bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme. Por ndërkohë, presidenti Thaçi është nisur për në Gjermani pa e takuar fare Kurtin. Në këtë konferencë gjasat janë të mëdha që të ketë një takim të kryeministrit Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Madje ata mund të jenë edhe në një panel të përbashkët. Ndërsa pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për hekurudhat. Ajo që tashmë është e sigurtë është se Thaçi, Vuçiç e Kurti do të kenë takime me të dërguarin special të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell. Nuk dihet nëse është paraparë takim i përbashkët, apo do të zhvillohen takime të ndara me Grenellin.