Kur ka kaluar gati një muaj nga rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, policia vazhdon kërkimet për gjetjen e trupit të tij. Në fshatin Pjezë, ku gjendet kompleksi Golden, në të cilin 49-vjeçari u mbajt përpara se të zhdukej, u gjet një plasmas me njolla gjaku.
Ekspertët e policisë besojnë se plasmasi mund të jetë përdorur për të mbështjelle trupin e Prengës. Por një përgjigje për këtë pritet ta japin analizat e njollave të gjakut.
Policia dyshon se Prenga është groposur në këtë zonë, pasi u nxor nga kompleksi i Altin Hajrit, që është ende në kërkim.
Momentin e nxjerrjes, prokuroria e ka dokumentuar me anë të disa pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat u publikuan mbrëmë në emisionin ?Opinion?. Këto foto janë marrë nga kamerat që gjenden në bodrumin e kompleksit Golden.
Ato tregojnë 5 persona që mbërrijnë me një makinë të bardhë tip Range Rover, e nxjerrin trupin e Jan Prengës që aty dhe e fusin në një furgon të bardhë, i cili largohet nga kompleksi. Autorët ishin të maskuar, por kur nisin të fshijnë gjurmët i heqin maskat dhe rrobat, të cilat i fusin në disa qese të zeza.
Prokuroria dyshon se rrëmbimi i Prengës ka ndodhur pas prishjes së pazareve të drogës në Angli mes vëllait të viktimës dhe disa personave të tjerë.
Në dëshminë e dhënë nga njëri prej vëllezërve të Jan Prengës në prokurori përmendet emrin i Dritan Rexhepit, si urdhërues i pengmarrjes.
Por Rexhepi, që gjendet në burg në Ekuador për trafik droge dhe është dënuar në Shqipëri me burg përjetë për vrasje, në një intervistë të dhënë së fundi, ka mohuar çdo implikim të tij në këtë ngjarje.
Tv Klan