Report TV - Pamjet ekskluzive nga spitali të gruas që dyshohet se u aksidentua nga Ilda Bejleri

2020-02-13 2

TIRANË - Në një dëshmi ekskluzive për Report Tv, Enriketa Gjuzi, 63-vjeçarja e cila një ditë më parë u godit nga një makinë që drejtohej nga moderatorja sportive Ilda Bejleri, tregon gjithçka ndodhi. Aktualisht ajo është në spital, pasi ka dëmtuar një gjymtyrë, por për gazetarin e Report Tv, Merin Maçi, tregon se ishte duke kaluar rrugën me semafor të kuq, bashkë me disa persona të tjerë, dhe thuajse të gjitha makinat ndaluan. Por rrugën e vijoi një X5 e zezë, që ajo nuk mundi ta identifikojë përmes targës dhe as drejtuesin, duke e goditur nga krahu i shoferit. Qytetarët e shumtë por edhe shoferët e makinave të tjera që ndaluan i dhanë ndihmën e parë zonjës, teksa të gjithë konstatuan se drejtuesja e makinës që u largua nga vendi i ngjarjes, ishte Ilda Bejleri.

"Kam qenë duke kaluar rrugën nga krahu i drejtorisë së policisë në atë të Lanës. Në ato momente semafori i kuq, 20 metra larg vijave të bardha. Kanë qenë duke kaluar edhe njerëz të tjerë. Të gjitha makinat kanë ndaluar përveç makinës X5 të Ilda Bejlerit. Përplasja është bërë nga krahu i shoferit. Kalimtarët e rastit i kanë bërë thirrje Bejlerit të paktën ta marrë ta dërgojë në spital por ajo ka refuzuar duke u larguar nga vendngjarja. Kanë qenë shoferët e makinave që më dhanë ndihmën dhe kanë lajmëruar ambulancën dhe policinë. Në momentin e përplasjes kam qenë e vetëdijshme dhe i kam thënë çfarë bën. Më vonë kam marre vesh që ishte Ilda Bejleri pasi me kanë thënë njerëzit", tregon për Report Tv, Enriketa Gjuzi.