Ndryshimi i temperaturave përgjatë këtyre ditëve ka sjellë fluks vizitash në pediatrinë e spitalit rajonal Korçë. 100 deri në 150 fëmijë në ditë paraqiten në pediatrinë e Korçës, ndërsa numri i shtrimeve për shkak të virozave të stinës shkon nga 6 -10 fëmijë .
Mjekja pediatre Xhentila Doka pohon se në repartin e pediatrisë në spitalin rajonal të Korçës janë shtruar nga të gjitha grupmoshat, ndërkohë qw kujdes intensiv duhet të marrin fëmijët e moshës nën 1 vjeç. Doka pohon se numri i vizitave rritet gjatë fundjavës për shkak të mungesës së shërbimit parësor pranë qendrave të banimit."Në spitalin e Korçës paraqiten 100-150 fëmijë në 24 orë, një fluks normal për periudhën ku ndodhemi. Mesatarisht në repart janë 40 fëmijë dhe mund të kemi shtrime të reja 6-10 fëmijë. Grupmoshat që kemi më shumë merak janë poshtë 1 vjeç. Problematike paraqitet situata në fundjavë për shkak të mungesës së shërbimit parësor pranë qendrave të banimit. Prandaj kur kemi një fluks virusi shpërndahet më shpejt qoftë edhe te fëmijët që presin të vizitohen", tha pediatria Xhentila Doka.
Mjekja pediatre këshillon prindërit të mbajnë në shtëpi fëmijët gjatë ditëve të para të virozës, të monitorojnë temperaturën si dhe t'iu japin sa më shumë lëngje.