OFL godet sërish në Tiranë dhe Durrës, Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini të justifikojnë pasuritë

2020-02-12 3

TIRANË- Operacioni i  Forca e Ligjit ka goditur sërish në Tiranë dhe Durrës!  Dritan Dajti në Tiranë dhe Xhevdet Troplini në Durrës janë vendosur në shenjestrën e OFL-së, ku ditën e sotme u është dërguar formulari për të justifikuar dhe deklaruar burimin e të ardhurave të tyre.

Ky është rasti i dytë, pas Emiljano Shullazit që formulari i OFL-së, në zbatim të aktit normativ "Anti KÇK", i dërgoi një personi i cili ndodhet aktualisht në burg, siç është Dritan Dajti. Dajti është një emër shumë i njohur në botën e krimit, ai autorë i vrasjes së 4 policëve në Durrës më 7 gusht të vitit 2009 gjatë arrestimit të tij. Ai është në burg i dënuar për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje e armëve luftarake", "Falsifikimi i dokumenteve", "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve" dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës".

Nga ana tjetër, një emër jo pak i njohur është edhe Xhevdet Troplini në Durrës, të cilit ditën e djeshme iu sekuestrua makina e blinduar tip 'Jeep'. Troplini, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike në 2006. Troplini njihet ndryshe me pseudonimin "Poja", në pronësi të së cilit janë disa biznese, mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Collaku. Ai është përfshirë dhe i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajsia e tij. Ky person del gjithashtu edhe në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi. Sipas QKR, Xhevdet Troplini rezulton se është ortak në kompaninë ?Ovvital?, që merret me rritjen e shpendëve për prodhim vezësh dhe mishi dhe tregtimi i tyre brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, rezulton se është aksioner në një shoqëri të quajtur ?EUROMAG?, ku bëjnë pjesë dhjetëra persona të tjerë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t?u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më tej, auto-deklaratën dhe dosjen me verifikimet e kryera ndaj tyre, ia dorëzojnë SPAK-ut, me kërkesën për sekuestro të pasurive nga burime të dyshimta. SPAK ka 15 ditë kohë për shqyrtim dhe për ta dërguar pranë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila merr ose jo vendimin për sekuestro.