Report TV - Ambasadorja amerikane mbi një orën takim me Kryemadhin në selinë e LSI

2020-02-11 0

TIRANË- Prej rreth një ore, kryetarja Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Takimi është zhvilluar në ambientet e selisë së LSI-së.

Burime për Report Tv bëjnë me dije në fokus të këtij takimi mbi 60 minuta ka qenë situata politike në vend dhe pa dyshim një nga reformat më të rëndësishme dhe më të diskutuara, Reforma Zgjedhore. Mësohet se Kryemadhi ishte shoqëruar nga shefi i kabinetit, Eriol Braimllari, e ndërsa ambasadorja nga stafi i ambasadës.Në përfundim të takimit, Kryemadhi me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku ka zbardhur çështjet kryesore për të cilat është diskutuar.

"Sot kisha kënaqësinë t'i uroja një mandat të suksesshëm në Shqipëri, Ambasadores Yuri Kim, si përfaqësuesja e aleatit tonë strategjik SHBA.

Shpreha mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e Ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim. Vlerësoj në mënyrë të veçantë theksin në prioritetet e bashkëpunimit ekonomik të cilat janë domosdoshmëri që vendit t'i kthehet një rritje e qëndrueshme ekonomike dhe të ofrojë punësim, veçanërisht për rininë.

Vlerësova gjithashtu mbështetjen e pakufizuar që SHBA jep për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përkrahjen e vazhdueshme për realizimin e reformave që kërkon axhenda jonë e integrimit. Ndamë bindjen e përbashkët që përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore sipas standarteve të OSBE/ODIHR është i një rëndësie prioritare. Vlerësova partneritetin strategjik me SHBA për forcimin e paqes, të zhvillimit dhe të integrimit të rajonit tonë", shkruan Kryemadhi.

Free Traffic Exchange