Studentja shqiptare Silva Doçi që prej një jave ndodhet në kushtet e karantinës në një spital në Ankara, pas evakuimit sëbashku me disa shtetas turq nga epiqendra e koronavirusit në Wuhan. Në një intervistë për Top Channel fillimisht i përgjigjet pyetjes se si ka qenë kjo javë për të në kushtet e karantinës.
Muhamed Veliu: Silva prej një jave ndodheni në karantinë në Turqi. Si ka qenë kjo javë për ju?
Silva Doçi: Kjo javë ka qenë e qetë, në ditët e para duke përjetuar gjithçka të re për mua, duke u përshtatur me ndryshimin e orës e duke i kushtuar vëmendje procesit të karantinës e tani disi e mësuar me rregullin e çdo dite.
Muhamed Veliu: Çfarë thonë mjekët atje në lidhje me ekzaminimet e bëra deri më tani?
Silva Doçi: Ekzaminimet e para dolën të gjitha mirë, tani po bëhen sërish për herë të dyte, për të vëzhguar akoma më tej shëndetin tim edhe të personave të tjerë që gjenden këtu.
Muhamed Veliu: Cila është ajo gjë që ju ka bërë më shumë përshtypje deri më tani gjatë qëndrimit në atë spital në Turqi?
Silva Doçi: Ky është një spital, që mesa di unë nuk ishte në përdorim dhe u rihap për ne. Është diçka e veçantë përgatitja e një vendi enkas për në, si për sigurinë e pacienteve të tjerë në spitalet e tjera ashtu edhe për mbarëvajtjen e punës së mjekëve të përqendruar te ne. Mendoj që jo vetëm mua por edhe atyre që ndodhen këtu që erdhëm bashkë nga Wuhani, na krijon një ndjesi të të qenit të veçantë e në kujdes maksimal. Do veçoja afrimitetin e të gjithë stafit mjekësor dhe jo mjekësor, që gjithmonë vesh buzëqeshje në kontakt me mua (ne). Gjë që nuk pritet kur je nën vëzhgim për një virus si koronavirusi i rastit, por kjo i mëshon edhe njëherë profesionalitetit edhe vendosmërisë së mjekut ndaj detyrës së tij, pavarësisht se me çfarë rreziku përballet. Diçka që e kam gjetur edhe tek mjekët ne Ëuhan edhe këtu në Ankara.
Muhamed Veliu: Gjatë 24 orëve si zhvillohet mbikëqyrja e mjekëve për të gjithë ju?
Silva Doçi: Mbikëqyrjen e mjekëve do ta ndaja në dy lloje, në ditët intensive dhe ditët e qeta. Në ditët intensive ne i nënshtrohemi analizave që duhen për të përcaktuar nëse dikush është bartës apo jo i virusit (intensive nuk do të thotë e lodhshme këtu, nuk do të thotë se ne lodhemi nga vëzhgimi e kontrollet, thjesht bëhen disa analiza që specialistët, edhe unë më parë, i kemi përmendur; si analiza gjaku, analiza te sekrecioneve të fytit, grafi e mushkerive, kontrolli i frymëmarrjes etj). Këto dite intensive janë të rralla. Në ditët e qeta kemi vizita nga infermierët në kujdes dy herë në ditë për matje temperature edhe disa herë në ditë për të pyetur nëse kemi ndonjë shqetësim shëndetësor. Edhe mjekët përgjegjës, edhe ato në pozicione drejtuese të këtij procesi, vijnë dhe komunikojnë me ne për gjendjen tonë shëndetësore dhe interesohen edhe për më të voglin shqetësim që çdokush mund të ketë. Madje ato kanë mundësuar edhe takim me psikologun nëse dikush ka nevojë të flasë për përjetimin e karantinës, gjë që do të thotë se interesimi e vë...