Shkodër, tritol shtëpisë së braktisur të ish-basketbollistit të arrestuar në 2015

2020-02-06 0

SHKODER-Një sasi e konsiderueshme tritoli shpërtheu në një banesë të braktisur në lagjen "Qafë Hardhi" në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja është regjistruar rreth orës 02:30. Tritoli u vendos në derën e shtëpisë së Nikollë Arrës, babai i ish-basketbollistit Nikolin Arra.

Lënda plasëse ishte vendosur pranë derës së banesës në dy vende të ndryshme. Shpërthimet kanë qenë të njëpasnjëshme dhe të fuqishme, pasi sasia e tritolit ishte e konsiderueshme. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, pasi prej pak kohësh familja Arra ishte larguar nga Shqipëria për në SHBA. Shqiptarja.com sjell pamjet nga dëmet materiale që janë shkaktuar. Dera dhe muret e shtëpisë janë shkatërruar nga eksplozivi që ka shpërthyer. Tritoli ka qenë një mesazh i drejtpërdrejt për familjen Arra. Policia ka nisur hetimet duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë banesës për të shkuar në gjurmët e autorëve.