DURRËS- Një krim i rëndë i ndodhur brenda një familje ka tronditur qytetin e Durrësit. 45-vjeçari, Lulzim Cuku, ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij, Manjola Cuku 33 vjeçe duke e lënë të vdekur në vend. Familja në fjalë njihej ndryshe edhe me mbiemrin Lika.
Ngjarja e rëndë sipas policisë ka ndodhur rreth orës 23:55, në Xhafzotaj të Durrësit, ku Lulzimi, në banesën e tij, për motive të dobëta ka qëlluar tre herë me thikë, gruan e tij Monjolën e cila për pasojë ka ndërruar jetë.Pas krimit Lulzimi është larguar nga vendi i ngjarjes duke udhëtuar drejt Burrelit, ndërsa policia u vu në ndjekje të tij. Pas disa orësh arrati dhe pas presionit të policisë, Lulzim Cuku është vëtdorëzuar në policinë e Burrelit dhe më pas është shoqëruar drejt Durrësit.
Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve kishin tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, vajza më e madhe ishte vetëm 10 vjeç dhe është fëmija i parë i familjes. Ata kanë dëgjuar të gjithë sherrin mes prindërve deri në vrasjen e nënës së tyre, ku pasi kanë dalë nga dhoma e tyre kanë parë edhe skenën e krimit që kishte lënë pas i ati.
Sipas hetimeve, Lulzim Cuku kishte shfaqur më parë shenja skizofrenie. Ndërsa të afërmit janë shprehur se Lulzim Cuko nuk kishte tip social dhe nuk kishte shumë miq.
Deri më tani dyshohet se shkak i këtij krimi të rëndë brenda familjes të jetë bërë xhelozia mes çifti. Lulzim Cuku punonte në Greqi si emigrant, ndërsa bashkëshortja e ndjerë ishte shtëpiake.