Gjykata le ne burg 5 te arrestuarit per rrembimin e Jan Prenges

2020-01-31 2

Gjykata vendosi të lerë në burg 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e trupit të 49-vjeçarit Jan Prenga. Në burg deri në përfundim të hetimeve do të qëndrojnë Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajrin dhe Olsi Turja. Ata akuzohen për mbajtje peng të personit dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa Festim Bexhdili, që u arrestua në Kavajë, akuzohet edhe për fshehje dhe asgjësim të trupit të viktimës.

Të arrestuarit mohuan akuzat e prokurorisë dhe u shprehen se nuk kanë lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të 49-vjeçarit. Edhe babai i një prej të arrestuarve pretendon se djali i tij nuk ka lidhje me ngjarjen.

Por prokuroria shprehet e bindur se 5 të arrestuarit janë përgjegjës për ngjarjen e rëndë dhe paraqiti si provë pamjet filmike që janë fiksuar nga një kamera sigurie në garazhin e kompleksit Golden në Shijak.

Sipas prokurorisë, në pamje shfaqen Leonard dhe Bajram Hajri teksa kanë futur në ambientet e resortit në pronësi të tyre, trupin e Prengës me një mjet ?Range Rover?. Më pas, me ndihmën e administratorit të resortit, Olsi Turja, trupi i viktimës është transportuar në furgonin në pronësi të Elton Hajrit.

Festim Bexhdili ka qenë personi që ka marrë furgonin nga resorti, bashkë me trupin e viktimës dhe e ka transportuar jashtë ambienteve, për të zhdukur më pas kufomën. Sipas prokurorisë, në kamera shihet Olsi Turja, duke pastruar gjakun nga fugoni, si dhe duke sistemuar disa vegla pune që dyshohet se janë përdorur për varrosjen e trupit të Jan Prengës.

Rrëmbimi i Prengës ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe për prishjen e pazareve të drogës.

Tv Klan