Qyno: Vëllai i Jan Prengës në Angli mbajti 'peng' kokainën dhe i vuri kushte grupit të Shijakut

2020-01-29 0

TIRANË - Jan Prenga ka hyrë me këmbët e tij në kompleksin "Golden" siç është fiksuar nga kamerat e sigurisë, dhe ka dalë pa shenja jete, i mbajtur në krah nga disa persona. Detajet i dha në studion e Report Tv, gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, duke cituar deklarime të oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët kanë analizuar kamerat e sigurisë pranë resortit "Golden" në Xhafzotaj pranë Shijakut. Ai tha se Jan Prenga është filmuar i gjallë teksa nxirret nga makina e autorëve që e rrëmbyen në Kamëz, e cila sipas policisë rezulton t'i jetë vjedhur një këngëtareje, ndërkohë që pas 8-9 orësh, ai del nga kompleksi "Golden" i pajetë i mbajtur në krah nga personat, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë në pengmarrje dhe vrasje.

Gazetari Elton Qyno tha se veç 5 të arrestuarve, janë edhe 5 persona të shpallur në kërkim, mes të cilëve Altin Hajri, por edhe tre persona nga Vlora dhe një nga Shkodra. Sipas tij, duke cituar burime nga prokuroria, ata janë persona me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vrasjeve dhe lëndëve narkotike. Por edhe të dyshuar që mund të kenë marrë peng persona të tjerë, veçanërisht në zonën e Vlorës.Ndërkohë i arrestuari i pestë për pengmarrjen e Jan Prengës dhe më tej vrasjen e tij, Festim Bexhdili, dyshohet të ketë pasur rol në fshehjen e gjurmëve. Sipas gazetarit Qyno, ai ka djegur rrobat e Jan Prengës. Trupi i 49-vjeçarit që u rrëmbye më 17 janar në Kamëz, ende nuk është gjetur.

Gazetari Elton Qyno tha se shkak për ngjarjen e rëndë u bë vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, i cili ishte korrier i dy grupeve kriminale, në Vlorë dhe në Shijak. Ai dyshohet se transportonte sasi të konsiderueshme kokaine duke i kaluar nga porti i Anglisë, për t'i futur në Angli. Por teksa kishte kaluar me sukses disa rrugë transporti, vëllai i Jan Prengës së fundi, në dhjetor 2019, nuk kishte dorëzuar një sasi prej 283 kg kokainë të cilën e kishte marrë në Portin e Anglisë, dhe i kishte bërë presion anëtarëve të grupit kriminal, se kërkonte më shumë lekë për punën që ai bënte.

Astrit Prenga e ka mbajtur drogën duke mos treguar vendin ku e kishte fshehur, dhe ka kërkuar më shumë para nga çfarë kishte rënë dakord me grupin kriminal, ndoshta për vetë sasinë e madhe të lëndës narkotike që ai transportonte, 283 kg kokainë. Ai i vuri kushte anëtarëve të grupit në Vlorë dhe Shijak, në të kundërt nuk do ta çonte drogën në destinacion. Por me të njëjtën monedhë, disa kohë më vonë, më 17 janar 2020, grupi kriminal me seli në Shijak, ia ktheu duke i rrëmbyer vëllanë të cilin më pas e kanë vrarë.

Dy vëllezër të Jan Prengës ndodhen në Angli, Astrit Prenga që ishte korrier i grupeve kriminale të Vlorës dhe Shijakut dhe Ndrek Prenga. Ky i fundit ndodhet në burg prej vitit 2017, dhe është dënuar me 8 vite burg po për trafik droge.