Report TV - Banorët e Kurbinit kërcënojnë se do të vetëflijohen: Na kanë thënë të dalim nga hoteli!

2020-01-29 0

31 janari është afati i fundit që të lirojnë hotelet ku qëndrojnë të strehuar që pas tërmeti të 26 nëntorit. Ky është pretendimi i banorëve të Kurbinit sipas të cilëve vendimin ju kanë komunikuar përfaqësuesit e Bashkisë një natë më parë. Shumë prej banoreve thonë se ende nuk e kanë përfituar bonusin e qirasë, ndërsa shprehen se nuk kanë mundur të gjejnë as banesa me qira, pasi numri është i kufizuar dhe çmimet janë rritur.  Përballë kësaj situate banoret e Kurbinit kërcënojnë me vëtëflijim, pasi nuk kanë ku të strehohen.

"Kemi shkuar me apkikuar. Shtëpia është shumë e shtrenjtë nuk e marrim dot me qira. Na tha ai i bashkisë për të dalë. Kemi kërkuar por nuk kemi gjetur, është shtrenjtë qiraja. Me këto pare që jep bashkia nuk gjen dot shtëpi me qira', thotë një banor.

"Me 12 mijë lekë nuk mund të gjesh një vathë bagëtish. Ku do shkojmë ne. Nuk e di çfarë kërkon kjo qeveri. Të marrë të na pushkatojë këtu në breg të detit. Bashkia thotë dil ku të shkojmë ne. Kam dalë nga varri, më kanë rënë 50 tulla në kurriz. Nuk kam lënë vend pa kërkuar", tregon një tjetër banor.

"Kanë ardhur këto të bashkisë na kanë thënë me datë 1 duhet të dilni. Ne nuk kemi ku të shkojmë, vetëm t'ia fusim këtej me not nja 100 metra derisa të lodhemi dhe pastaj mbarojmë" thotë një tjetër banor.

E kontaktuar nëpërmjet telefonit Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara, thotë se njoftimi është bërë për familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë dhe ata duhet të kërkojnë për të gjetur strehim, pasi mbajtja sërish në hotele ka kosto të dyfishtë.