Policia ne aksion per te disiplinuar shoferet qe “fluturojne” ne rruget e Shqiperise

2020-01-27 1

Rruga nacionale Tiranë ? Elbasan në jo pak raste ka parë aksidente fatale me pasojë vdekjen. Për të disiplinuar qarkullimin e automjeteve, në këtë segment rrugor ka vazhdimisht kontrolle me radarë.

Mbrëmjen e 24 Janarit, ne kemi ndjekur nga afër punën e efektivëve të rrugores, të cilët gjatë gjithë natës kanë mbajtur nën monitorim të rreptë aksin Tiranë-Elbasan.

U pozicionuam në mbikalimin e Mjull-Bathore, në një pikë të lartë, që të mundëson fushëpamje të plotë të autostradës.

Përmes radarit, këta punonjës të Policisë Rrugore, verifikojnë shpejtësinë e të gjitha mjeteve që kalojnë në këtë rrugë. Për këdo që shkel rregullat e qarkullimit, nuk ka asnjë tolerim.

Kontrolli i shpejtësisë së mjeteve bëhet përmes këtij radari. Në rastet e tejkalimit të shpejtësisë, këta punonjës policie sinjalizojnë patrullën, që qëndron 1 kilometër më larg, dhe bëjnë të mundur ndalimin e mjetit.

Drejtuesit i komunikohet shkelja që ka kryer dhe i bëhet verifikimi i dokumentacionit. Ndërkohë, patrulla e radarit pret gjobën administrative dhe ia dorëzon shoferit, i cili është ndaluar nga patrulla e dytë e pozicionuar pranë rrethrrotullimit të TEG-ut.

Teksa ora kalon, efektivët konstatojnë një automjet që qarkullon me shpejtësi të lartë. Radari regjistroi shpejtësinë 129 km/h, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h. Menjëherë lajmërohet patrulla e postbllokut pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, për të bërë ndalimin e mjetit.

Verifikimi i dokumentacionit, zbuloi të tjera shkelje. Drejtuesit të kësaj makine i kishte skaduar afati i vlefshmërisë së patentës, ndërkohë që ky mjet kishte edhe 17 gjoba të papaguara. Shoferit iu komunikua shkelja administrative dhe do të dalë përpara Komisionit të Policisë Rrugore.

Specialisti i Policisë Rrugore Agim Muça, thotë se gjatë gjithë ditës, në këtë segment rrugor janë pezulluar 16 patenta, ndërkohë që monitorimi do të vijojë edhe përgjatë natës.

?Në segmentin rrugor nga Tirana për në Elbasan, po monitorohet me radar me pika kontrolli, gjatë gjithë dotës dhe natës. Deri në këto momente që po flasim, janë pezulluar 16 leje drejtimi në vendin e quajtur Mjull-Bathore. Do të vazhdohet me këtë ritëm gjatë gjithë natës. Apelojmë të gjithë drejtuesit që të bëjnë kujdes me ecjen në këtë segment dhe të mos tejkalojnë normat e shpejtësisë?, shprehet Agim Muça, Specialist i Policisë Rrugore për Linjat.

Rreth mesnatës së 24 Janarit, një tjetër automjet kapet nga radari duke udhëtuar me shpejtësi tepër të lartë.

Me dyfishin e shpejtësisë së lejuar, urdhërohet menjëherë ndalimi i fuoristradës.

Drejtuesit të mjetit i pezullohet menjëherë patenta dhe i verifikohet dokumentacioni. Mesa duket nuk është dakord me penalizimin. Megjithatë, çdo gjë kalon pa probleme.

Monitorimi i rrugëve për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit, si për tejkalim shpejtësie apo për drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit, ka vazhduar gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit.