Takimi i Zgjedhores/ Bylykbashi: I hap rrugë propozimeve konkrete për Reformën

2020-01-27 0

Për përfaqësuesin politik të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, mbledhja e sotme për 'Zgjedhoren' ka një rëndësi të madhe pasi i hap rrugë konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për këtë Reformë.

"Ajo që ka rëndësi është se me këtë dokument të sotëm dhe metodologjinë që ai përfshin, i hapet puna rrugës konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për Reformën Zgjedhore. Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte, me propozime konkrete, duke marrë në konsideratë punën  që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni.

Ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot", tha Bylykbashi.