Zbardhet vendimi i arsyetuar gjyqtares që gjykatës së Krujës Enkelejda Hoxha që liroi anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle nga burgu i përjetshëm në shërbim prove që shkaktoi reagim të fortë politik dhe jo vetëm. Por ku u bazua gjyqtarja? Shqiptarja.com disponon vendimin e plotë të gjyqtares për të cilën ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi pezullimin nga detyra. Në vendim theksohet se gjyqtarja është bindur duke pranuar kërkesën e avokatit të Endrit Dokles dhe raportet nga burgu se anëtari i bandës së Durrësit ka sjellje shumë të mirë, është penduar për vrasjet që ka bërë, vuan nga depresioni dhe se ka të atin sëmurë.
"Kërkuesi ka sjellje korrekte dhe shumë të mirë. I dënuari ka shfaqur pendim të thellë për veprën penale, për të cilën është dënuar. Ai është penduar për vrasjet duke u shprehur se ato kane qenë vitet në të cilat ka gabuar më shumë në jetën e tij. Ai reflekton bretje të ndërgjegjes për të gjitha pasojat e sjella në familje dhe jashtë saj. Ai shprehet se vuajtja e dënimit për këtë vepër, i ka shërbyer më së miri për të qenë më i kujdesshëm" thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës. Por kur vjen puna e llogaritjes së viteve në qeli, heqjes së burgimit përjetë dhe dënimit me 25 vite, më pas lirimit me shërbim prove gjykata përplaset me prokurorinë.