Report TV - Aplikimi online për rindërtimin nis në 29 janar, Rama: Shtëpi të re të prekurit

2020-01-26 0

TIRANË- Procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti do të nisë me 29 janar me aplikimin online, i cili është i detyrueshëm dhe për këtë qytetarët do të kenë afat 30 ditë, për t'u pajisur në fund me një dosje ligjore që do jetë e nevojshme për hapat në vazhdim. Rindërtimi do të nis në datën 10 mars, pasi të ketë përfunduar aplikimi, vlerësimi, apelimi, përcaktimi i zonave ku do të ndërtohet dhe modeli i banesave.

Në konferencën për mediat të zhvilluar këtë të diel, dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, ku prezantoi platformën online, ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj  ka bërë me dije se dokumentacioni i nevojshëm nuk do të dorëzohet në zyrat e posaçme që do të hapen në çdo bashki në formën print, por me futjen online të disa shërbimeve, ato do të merren nga vetë punonjësit, duke shmangur zvarritjen nga zyra në zyrë.

Një lajm i mirë, është se qytetarët do të kenë një shtëpi të re të ndërtuar në një pronë shteti, por nuk do të humbasin tokën e tyre në të cilën kanë jetuar prej vitesh. Për këtë kryeministri Edi Rama tha se ajo mund të shfrytëzohet nga vetë qytetari për përfitime ekonomike, teksa për të shmangur rastet korruptive ai ka sqaruar se monitorimi i procesit do të bëhet nga zyra e kryeministrisë dhe një grup i panjohur nga askush. Rama ka dhe pasur një ftesë bashkëpunimi për opozitën që të denoncojnë rastet korruptive apo që janë lënë në harresë për motive të ndryshme, për t'u dhënë "hakun që meritojnë të gjithëve".

Raporti final për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të dalë në datën 4 shkurt, 13 ditë para zhvillimit të Konferencës së Donatorëve që do të mbahet në Bruksel, për të cilat ka theksuar se një peshë të madhe do të ketë buxheti i shtetit dhe shpresat nuk do të varen vetëm nga ajo se çfarë do të dhurojnë ndërkombëtarët.

Free Traffic Exchange