Mure të çara, suva të rëna... shkolla në Devoll e shkatërruar, fëmijët: Kemi frikë se na bie tavani

2020-01-25 3

DEVOLL- Shkolla 9- vjeçare "Sali Zaimi" në fshatin Përparimaj të bashkisë Devoll ku zhvillojnë mësim 46 nxënës që prej ndërtimit të saj rreth viteve 1960-1963 nuk ka njohur më investime.

Mure të çara, suva të rëna, tavane të plasaritura, dysheme të kalbura është pamja që na vjen nga kjo shkollë e lënë në harresë. Në këto ditë të ftohta të zhvillosh mësim aty është pothuajse e pamundur, në vend të xhamave janë vendosur plastmase. Tualetet e shkollës janë tërësisht të shkatërruara dhe jashtë çdo kushti higjeno-sanitare.Ky problem është ngritur herë pas here nga prindërit, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Të pyetur nga Report TV ata tregojnë se sa të pasiguritë ndihen për jetën e fëmijëve të tyre brenda ambienteve të kësaj shkolle.

"Kam djalin në klasë të dytë dhe gjithmonë më thotë mami kam frikë, se kur trokasin ata të katit sipër kanë frikë mos shembet tavani. Kemi shkuar kudo na kanë thënë do ta bëjmë dhe asgjë s'kanë bërë", tha një prindër.

"Kushte më të vështira nuk mund të gjesh, xhama nuk ka, dyert të shkatërruara, tavanet janë të çara, kemi frikë për fëmijët", tha një prindër.

"Kemi shkuar në bashki dhe në komuna dhe nuk kanë bërë asgjë", tha një nga prindërit.

Mësuesit jashtë kamerave tregojnë se sa i vështirë është zhvillimi i mësimit në këtë godinë, sidomos gjatë dimrit dhe për këtë shkak shpesh herë detyrohen të reduktojnë orët e mësimit. Ndërkohë vetë nxënësit tregojnë vështirësitë, pa sigurinë dhe rrezikun që hasin çdo ditë në shkollën e degraduar.

"Unë mësoj në klasën e 5 dhe kam frikë që mos na bjerë tavani në kokë. Kur shkojmë në banjo nuk hyhet aty brenda dhe kemi shumë ftohtë", tha një nxënëse.

"Muret janë të rrënuara, kushtet janë të këqija, dritaret janë të këqija dhe kur të mëdhenjtë kërcejnë ne kemi frikë se na bie tavani. Ne duam një shkollë të re dhe gjërat të bëhen mirë që të mos na bjerin", tha një nxënëse.

Ndërkohë në një lidhje telefonike me kryetarin e bashkisë së Devollit, Eduard Duro bën me dije se bashkia ka gati një projekt për rikonstruksion të pjesshëm të ndërtesës e cila do të mbulohet me fondet e bashkisë.

Free Traffic Exchange