Virusi, turistët kinezë nuk pranojnë të flasin, qytetarët: Ishalla nuk vjen se i rrafshoi gjysmat

2020-01-24 0

Përhapja me shpejtësi e virusit kinez ka shqetësuar edhe qytetarët shqiptarë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot marrjen e masave të para, por ende në aeroport nuk ka kontrolle, ndërsa qytetarët shqiptarë ndajnë mendime të ndryshme. Disa shprehen të shqetësuar, ndërsa të tjerë jo, pasi theksojnë se kanë bërë vaksinën.

"Deri tani në familjen tonë nuk ka ndonjë problem, i kemi sqaruar fëmijët edhe lëvizjet i kemi kufizuar për jashtë. Por për situatën e gripit? Çfarë masash do të marrim ne, nëse bën shteti ndonjë vaksinë, ne pensionistët jemi. Ruhemi nga ftohti dhe ambientet e pista, marrim masa për higjenën. Ushqimin e hamë të kontrolluar" tha njëri prej tyre.

Ndërsa një tjetër qytetar u shpreh se "Nuk na gjen gjë ne, këtu nuk ka grip, na vaksinojnë cdo vit pa lekë, virusi ishalla nuk vjen këtu se i rrafshoi gjysmat. Unë e kam bërë vaksinën, e bëj cdo vit, qeveria na e ka dhënë pa lekë. Të shqetësuar jemi, por virusi nuk vjen këtu, ajri i mirë, klima e mirë, ne nuk hamë gjarpërinj dhe bretkosa si kinezët, por mish viçi dhe qengji". Por ka edhe nga ata që nuk kanë dëgjuar për virusin. "Nuk kam dëgjuar dhe nuk di gjë". Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku tentoi që të merrte një prononcim në sheshin Skënderbej edhe nga një grup turistësh kinezë, por nuk pranuan që të flasin.

Ministrja Manastirliu nxori sot një urdhër për marrjen e masave parapërgatitore, për t?u mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri. Viktima e 26 nga virusi kinez u konfirmua në një provincë në kufi me Rusinë, rreth 2000 km larg nga qendra e shpërthimit të infeksionit.