25 viktima nga virusi kinez

2020-01-23 2

Frika për mungesën e furnizimit me ushqim ka shkaktuar përplasje fizike mes banorëve të qytetit të Vuhanit, pas vendimit të autoriteteve kineze për të bllokuar hyrjet dhe daljet nga qyteti, çka ka krijuar radhë të gjata automjetesh në autostradat hyrëse.

Qyteti i Kinës qendrore që është strehë e rreth 9 milionë banorëve është vatra e koronavirusit që po përhapet me ritme të shpejta në gjithë botën dhe që deri më tani i ka marrë jetën 25 personave, e ka prekur mbi 600 të tjerë. Nëpër qytet janë ngritur çadra për strehimin e të prekurve.

Autoritetet po dezinfektojnë shumë lagje të banuara. Ndërsa transportimi i të infektuarve bëhet në masa të rrepta sigurie, si në këto pamje.

3 qytete në total janë vendosur në karantinë, ku janë mbyllur aeroportet dhe hekurudhat për të mos lejuar përhapjen e virusit. Situata detyroi autoritetet në Pekin të anulojnë festimet për vitin e ri kinez. Kontrolle të rrepta edhe në aeroportet ndërkombëtare për pasagjerët që vijnë nga Kina. Në Francë e Irlandë, 2 persona po i nënshtrohen analizave si bartës të virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur një komision të posaçëm që do të shqyrtojë masat që mund të çojnë edhe në një emergjencë globale nga ky virus. Shkencëtarët dyshojnë se virusi është përhapur nga lakuriqët e natës dhe gjarpërinjtë.

Tv Klan