Denatyralizimi i botës njerëzore dhe njeriu i programuar, që dita-ditës po na bëjnë që të humbasim vlera të qenësishme në shoqërinë tonë, është ajo çka drejtë së cilës është orientuar kësaj here arti i piktorit Hermon Madhi. Artisti sjellë 30 grafika në ekspozitën ?Mite të vjetra moderne? në qendrën për hapje edhe dialog, për të rrëfyer udhëtimin e shoqërisë sonë, që nga periudha antike deri në ditën e sotme. Për kuratorin e COD, Genti Gjikola, kjo ekspozitë risjell në vëmendjen e publikut mite të rëndësishme të historisë me një gjuhë moderne.
?Kjo është ekspozita e parë në COD për vitin 2020. Me këtë cikël Hermoni ka krijuar një identitet më të veçantë, kemi përzgjedhur 30 grafika, të cilat janë të gjitha të vitit 2019. Ka qenë një lloj shpërthimi i krijimtarisë së tij, nisur kjo mesa duket edhe nga ngjarjet politike që kaluam vitin që lamë pas. Hermoni nuk është hera e parë që merret me tema klasike të historisë së artit, tema klasike të shoqërisë njerëzore, por kësaj here ai ka kthyer mite të fuqishme të historisë së këtij kontinenti, edhe jo vetëm në një gjuhë bashkëkohore, në grafika interesante të punuara?, shpjegon Gjikola, teksa shton se të gjitha punimet janë brenda formatit A4, më shumë si një bllok shënimesh dhe krijimesh, që artisti i mban përherë me vete, sesa si një krijimtari që bëhet në studio.