Identifikohet autori i vrasjes ne Astir

2020-01-22 1

Dy ditë pas vrasjes së 28-vjeçarit Vilson Tafçiu, policia ka zbardhur ngjarjen duke shpallur në kërkim një 29-vjeçar si autorin e dyshuar.

Sipas uniformave blu, vrasja është kryer nga 29-vjeçari Noel Dishi, i cili rezulton se ka mbajtur më herët edhe dy emra të tjerë. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti të çastit mes autorit dhe viktimës.

Mbrëmjen e së hënës 28-vjeçari Tafçiu po konsumonte kafe në ambientet e një lokali në zonën e Astirit. Ai është thirrur nga autori dhe pasi ka dalë jashtë, është qëlluar për vdekje me 3 plumba pistolete.

Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona si dhe ka sekuestruar një numër të madh të kamerave të sigurisë ku ka bërë të mundur edhe identifikimin e autorit. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se autori dhe viktima kishin njohje mes tyre, madje kanë emigruar së bashku edhe në Francë e Zvicër.

Një nga pistat ku po heton policia lidhet me të shkuarën e viktimës, pasi rezulton i dënuar në Francë me 1 vit heqje lirie për shitje të lëndëve narkotike.

Për zbardhjen e vrasjes janë marrë në pyetje edhe familjarë të 29-vjeçarit Dishi. Ata kanë pranuar se e njihnin Tafçiun, pasi ishte shok me djalin e tyre.

Tv Klan