TIRANE-Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji denoncoi sot se kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla është filmuar ndërsa konsumon kokainë. Alla është zgjedhur nga radhët e PS-së në zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar. "Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë.
Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike" deklaroi Salianji. Report Tv tentoi që të kontaktonte me kryebashkiakun e Bulqizës për të marrë versionin e tij lidhur me denoncimin nga Partia Demokratike, por Lefter Alla nuk pranoi që të sqaronte duke mbyllur telefonin.