Report TV - 'Siguria' kalon amnistinë, përfitojnë ndërtuesit pa leje në tokën e tyre!

2020-01-22 0

TIRANE-Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në mbledhjen e sotme vendimin e qeverisë për amnistinë, por me dy ndryshime. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e të gjithë atyre që janë dënuar për shkak se kanë vjedhur. Propozimi i kryetares së komisionit të sigurisë që të mos përfitojnë ata që janë dënuar për vjedhje, pasi ky fenomen është në rritje, është miratuar nga anëtarët e komisionit. "Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia" tha ajo. Në amnisti u miratua edhe propozimi i dytë i Felajt, që ata që janë dënuar për ndërtim pa leje të lirohen nga burgu.

Deputeti socialist Spartak Braho ishte kundër mënyrës së hartimit të kësaj amnistie. Ai e cilësoi si jo humane duke kërkuar lirimin nga burgu të të gjitha grave. "Drafti është i njëjtë me atë të 2016. Pse nuk amnistoni shpifjen, fyerjen? Mendja më thotë se jeni selektivë, mund ta kem edhe gabim. Kjo amnisti nuk ka humanizëm, të tëra gratë duhet të dalin nga burgu. Gruaja edhe kur vret, vret nga halli, edhe kur bën vetëgjyqësi e bën nga halli. Gruaja lë familjen, lë fëmijët. Duhet të jemi më humanistë me gratë dhe moshat e reja. Mbani në burg, një, pse e mbani atë (të rinjtë). Ai shtet që bën amnisti është shtet i fortë, nuk është i dobët. Nuk trembet shteti serioz nga ata që dalin nga qelitë" tha Braho. Por Felaj doli kundër "Nëse ka shkelur ligjin, cdo njeri duhet të dënohet. Nuk është rasti që dikush të dalë sikur është mbrojtës më i mirë i grave apo të miturve" tha ai.