TIRANË- Brenda vitit 2020 të gjitha autorizimet për importin dhe eksportin e barnave mjekësore do të lëshohen online. Lajmi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila po përfundon rehabilitimin e plotë.
?Janë më shumë se 3 mijë autorizime zhdoganimi apo leje importi për barnat që kryhen manualisht, të cilat do të kryhen online nëpërmjet portalit e-Albania?, tha Manastirliu.
Rehabilitimi i Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është një investim me vlerë 121.4 milionë lekë, ndërsa nga ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se për vitin 2019 janë kryer mbi 3000 autorizime importi, autorizime zhdoganimi dhe autorizime eksporti, çka do të thotë se këto procedura tashmë do të ndiqen vetëm online.
Për barnat të cilat ndodhen në regjistër, të pajisura me autorizim tregëtimi, por edhe për barnat e paautrizuara, lëndët aktive dhe ndihmëse si dhe autorizimet e eksportit subjektet farmaceutike do të pajisjen me autorizim importi/eksporti dhe autorizim zhdoganimi nëpërmjet sistemit online, duke shmangur qëndrimin për disa orë në Agjenci, për t?ju nënshtruar procedurave të mëtejshme.
Brenda këtij viti, subjektet nuk do të kenë më detyrimin të paraqesin dokumentet shoqërues për shërbimet e mësipërme pranë AKBPM-së, por nëpërmjet portalit unik e-Albania do të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm online.