VLORE- Xhevahir Jonuzi 47-vjeç nga Hoshtima, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy personave në vitin 1999, është arrestuar mëngjesin e sotëm pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Në tentativë për t'i shpëtuar aksionit të nisur prej orëve të para të mëngjesit, 47-vjeçari ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë duke iu rrezikuar edhe jetën, por pas kundërpërgjigjes së tyre ka mbetur i plagosur në këmbë. Operacioni policor për kapjen e tij i koduar "Hoshtima" është zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës.
Uniformat blu rrethuan fillimisht banesën e 47-vjeçarit të ndërtuar në majë të një kodre në mes të pyllit në fshatin Hoshtimë të Vlorës rreth orës 04:00, dhe i kanë bërë fillimisht thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën, por ai ka refuzuar duke qëlluar në drejtim të policisë. Në përpjekje për ta neutralizuar policia e ka qëlluar të shumëkërkuarin në këmbë duke e lënë të plagosur. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, blutë e kanë dërguar Jonuzin në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se ai do të dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë Tiranë, si dhe do të marrë mjekim në spitalin e këtij burgu.