KORÇË - Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte opozita e bashkuar asjo që detyroi kryeministrin Edi Rama të pranojë marrëveshjen për reformën zgjedhore.
Nga Korça ku shpërndau karta për anëtarët e rinj në parti, Kryemadhit tha se dakordësimi për reformën zgjedhore i hap rrugën zgjedhjeve të reja.
Kryemadhi sqaroi se përse Këshilli Politik për reformën zgjedhore, nuk u ngrit kur PD, LSI dhe aleatët ishin në Parlament, duke shtuar se me marrëveshjen për zgjedhoren, sipas saj Rama pranoi se parlamenti është ilegjitim. "Ky Këshill Politik nuk mund të ngrihej kur ne ishim në Parlament, sepse ai Parlament nuk përfaqëson votën e shqiptarëve. Ai Parlament përfaqëson votën e blerë me paratë e bandave dhe të krimit të organizuar. Ai Parlament përfaqëson kapjen e shtetit. Ai Parlament përfaqëson vetëm shkeljen e çdo të drejtë të qytetarëve shqiptarë. Dhe sot pas një viti nga djegia e mandateve kemi një Edi Ramë që nuk njeh Parlamentin, kemi një Edi Ramë që nuk njeh levat dhe përdoruesit e tij për të ndryshuar realitetin shqiptar, kemi një Parlament i cili përfundimisht e pranoi që është ilegjitim, atë që opozita shqiptare e thoshte shumë kohë më përpara", u shpreh kryetarja e LSI-së. Sipas marrëveshjes së arritur, në Parlament do të çohet për miratim pa asnjë ndryshim drafti i dalë nga tryeza politike për reformën zgjedhore, pjesë e së cilës u bë edhe opozita joparlamentare.