I dëgjoi 7 orë, gjykata shtyn për nesër vendimin për 29 të arrestuarit në Tiranë për dosjen e tërmet

2020-01-17 0

TIRANE-Tre ditë pas arrestimit, sot dolën para gjykatës penale të Tiranës 29 të arrestuarit dhe 2 që janë në detyrim paraqitje në lidhje me dosjen e tërmetit të 26 nëntorit të 2019, teksa 11 janë ende në kërkim. Seanca nisi në orën 12:00 dhe përfundoi në orën 19:00, ndërsa vendimi do të jepet nesër për të akuzuarit. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra raporton se prokuroria ka kërkuar që 13 prej të arrestuarve të vijojnë që të qëndrojnë në burg, 5 të lirohen nga qelia dhe të lihen në detyrim paraqitje, ndërsa 13 të tjerët në arrest shtëpie.

Lirim nga qelia për të vijuar hetimet në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, prokuroria mësohet se ka kërkuar për gratë për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore të disave prej tyre. Gjykata dëgjoi sot palët, prokurorinë dhe mbrojtjen dhe në fund vendosi që nesër në orën 10:00 të japë vendimet në lidhje me biznesmenët, ndërtuesit, ish-kryetarët e komunave të Farkës e Kasharit, por edhe zyrtarët e tjerë që prangosi tre ditë më parë.