Rrethrotullimi i TEG dhe ai i Kolonjës në aksin Lushnje-Fier janë 2 njollat e zeza në rrugët shqiptare. Të dyja këto akse të trajtuara në vazhdimësi nga Televizioni Klan janë evidentuar edhe nga kreu i Policisë së Shtetit, si vendet që kanë shkaktuar më shumë viktima në 2019-n.
Në një tryezë konsultative ku ishin të ftuar ekspertë të Policisë Rrugore, krerët e disa bashkive, por edhe aktorë të tjerë, u propozua shumëfishimi i gjobave për shkaqet më kryesore të aksidenteve rrugore. Kështu, vlera e gjobave për përdorimin e celularit, parakalimin e gabuar dhe mos dhënien e përparësisë pritet të shumëfishohen në muajt në vijim.
Ndërsa Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e vuri theksin tek investimet në sinjalistikë dhe ngritjen e një qendre operative për monitorimin e akseve rrugore. Gjatë 2019-s në rrugët e Shqipërisë kanë humbur jetën në aksidente rrugore 227 persona, duke shënuar rritje me një vit më parë.
Tv Klan