Kreu i qeverisë deklaroi se ambientet e reja të spitalit të kirurgjisë në QSUT është një investim 30 milion dollarësh, ndërsa u shpreh se nuk do të shkurtohet asnjë investim për shkak të emergjencës së tërmetit. "Është bërë një zgjedhje e duhur dhe unë e hoqa nga shënimet e mia sepse Ogerta e kishte në krye të citimeve të saj Frederik Shirokën dhe po i referohem atij për të sjellë në vëmendje se në fund të ditës dallimin e bën dija. Vlerësoj se duhet pasur në vëmendje se është një dije shumë e madhe. Nesër do ju sjell me varg me hudhra ta vendosni te dera spitalit. Ne katunarët si i thonë nuk kemi shkollë por eksperiencë. Dua të shtoj faktin se përtej investimeve që në shëndetësi nuk mjaftojnë kurrë, ka një ministër që është armik që është shpallur armik në çdo qeveri që është ministër i Financave ndërsa më i pakënaquri është Ministri i Shëndetësisë. Ne kemi investuar në zhvillim 30 milion dollarë për këtë qendër që është shumë me atë që është bërë më parë dhe pak për nevojat. Njerëzit kërkojnë gjithçka dhe e kërkojnë tani pa marrë parasysh kostot. Ne nuk do shkurtojmë asgjë për shkak të emergjencës së tërmetit pasi duhet të adresojmë një nevojë kolosale për rindërtim", tha Rama.