Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re, i cili do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të ngrihet brenda datës 26 janar 2020. Me funksionimin e Inspektoriatit të Lartë, mbetet edhe një tjetër strukturë, Byroja Kombëtare e Hetimit, për të finalizuar zbatimin e reformës në drejtësi, e nisur në korrik të 2016 me ndryshimet Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në 26 dhjetor të 2019 i ka përcjellë Kuvendit listën me pesë kandidatë për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Lista kryesohet nga Artur Metani me 89.6 pikë, ndjekur nga Eris Hysi 78.3 pikë, Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë, Lindita Troja 63.4 pikë dhe Sokol Stojani 89 Pikë. Sipas ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Kuvendi ka vjetëm 30 ditë kohë për të zgjedhur me shumicë të cilësuar njërin nga pesë kandidatët.
Ashtu si edhe për funksionarët e tjerë të drejtësisë, ligji parashikon që nëse Kuvendi nuk arrin që të zgjedhë Inspektorin e Lartë brenda 30 ditëve, kandidati i listuar i pari miratohet automatikisht. Në rastin konkret, Kuvendi duhet të zgjedhë deri në datën 26 janar njërin nga kandidatët, në të kundërt, nga data 26 janar Artur Metani do të drejtorë Inspektoriatin për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Inspektori i Lartë i Drejtësisë konsiderohet edhe instrumenti kryesor në luftën kundër grupit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të quajtur ndryshe 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh', për shkak se po shfrytëzojnë maksimalisht kohën që u ka mbetur në sistem para se të përballen me Vetingun, duke bërë kërdinë në drejtësi me vendime arbitrare dhe dukshëm abuzive. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti i vetëm përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Ngritja dhe funksionimi i Inspektorit të Lartë i Drejtësisë do të mundësonte verifikimin e të gjitha pretendimeve për sjellje abuzive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ende pa u ngritur ILD, Komisioni i Vetingut ka vendosur të referojë për verifikim për shkelje të mundshme 12 gjyqtarë dhe prokurorë. Ata janë Besnik Cani dhe Kostaq Beluri anëtarë të KLP, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi, prokurorët Besim Hajdarmataj, Vladimir Mara, Dritan Peka, Alma Muça, Eloida Goxhi, Esmeralda Keshi (Cami), Zeqir Hoda, kryetari i Administratives së Apelit Tiranë Kastriot Selita si dhe kryetarja e Gjykatës Pogradec Emona Muçi. Të gjithë subjektet në fjalë e kanë kaluar Vetingun.