Tirana ka shpallur "non grata" dy përfaqësues të tjerë të Ambasadës iraniane, për shkak se konsiderohet që kanë zhvilluar veprimtari që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik, një vendim që vjen vetëm pak ditë pasi Teherani e kërcënoi vendin tonë si aleat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministria e Jashtme njoftoi se behët fjalë për Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.
Të dyve u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë. Me dy diplomatët numri i të dëbuarve në këtë Ambasadë shkon në katër.
Në vitin 2018, Tirana shpalli persona të padëshirueshëm edhe Ambasadorin e Iranit në vendin tonë Gholamhossein Mohammadnia dhe një përfaqësues tjetër diplomatik.
Sekretari i shtetit Mike Pompeo i akuzoi diplomatët iranianë se komplotuan sulme terroriste. Autoritetet në Tiranë ndërkohë thanë se kishin shmangur një sulm terrorist pranë kryegjyshatës botërore me ndalimin e tre iranianëve që ishin paraqitur si gazetarë të huaj.
Tirana ka mikpritur mbi 3 mijë muxhahedinë, me kërkesë të Uashingtonit dhe për këtë arsye, pak ditë më parë Ayatollah Ali Khameneie kërcënoi Shqipërinë si aleate të Shteteve të Bashkuara duke e quajtur si një vend djallëzor që kishte strehuar muxhahedinët që janë kundërshtarë të regjimit të Teheranit.
Me dëbimin e dy përfaqësuesve të tjerë, në Ambasadën e Iranit kanë mbetur vetëm dy diplomatë.