Deputeti Korab Lita dha detaje pas takimit që pati me kryetaren e grupit parlamentar demokrat për detajet e tryezës së djeshme për reformën zgjedhore me opozitën jashtëparlamentare. Lita tha në një intervistë për Report Tv, se bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, nuk e firmosi dokumentin e dalë nga ai takim, pasi ishte njoftuar në minutë të fundit sipas tij, për marrëveshjen politike që bën pjesë të diskutimeve të zgjedhores edhe Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Ingtegrim. Ai tha se Hajdari, ndryshe nga politikanët e tjerë, nuk vë firma pa u konsultuar me deputetët e saj.
"Sot mbledhja e grupit parlamentar u zhvillua në funksion të marrëveshjes për reformën zgjedhore. Parimisht ne deputetët e rinj jemi dakord për çdo lloj marrëveshje mes palëve politike kur është në të mirën e qytetarëve dhe e bazuar në ligj, dhe bëhet në institucione. Nëse lexojmë marrëveshjen shihet që është e parapërgatitur nga dy forcat politike kryesore, dhe anashkalon tagrin kryesor të deputetëve të rinj, ndryshimin e sistemit. U theksua edhe një herë që deputetët e opozitës parlamentare janë të gjithë në unison për ndryshimin e sistemit.
Marrëveshja ka qenë e parapërgatitur nga forcat kryesore politike dhe zonja Hajdari është lajmëruar në momentet e fundit dhe kjo është arsyeja pse ka refuzuar ta firmosë dokumentin, për tu konsultuar me deputetët.
Çdo gjë është e dirigjuar nga ndërkombëtarët, por nuk hyjnë në detaje dhe mbështetin çka vjen mirë për qytetarët jo për politikanët. Ne jemi për një reformë që të bëhet këtë vit dhe të paktën për 30 vitet e ardhshme të mos ketë nevojë për ndryshim.
Zonja Hajdari në atë komision është përfaqësuese e një grupi parlamentar, dhe në ndryshim nga çfarë thonë liderët bëhen në parti, ajo refuzoi të firmosë që aty të shkojë me zërin e të gjithë kolegëve, jo me zërin e saj personal", tha Korab Lita.
Deputeti i opozitës së re theksoi se "partitë e mëdha kanë dy rrugë për ta bërë reformën zgjedhore, ose me largim të demokracisë nga qytetarët që nuk e njohin deputetin, ose të ndryshojnë sistemin me qëllimin votim të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të tyre në parlament".