Gjykata e Krujës ka liruar me kusht një nga ish-anëtarët e ?Bandës së Durrësit?, 36- vjeçarin Endrit Dokle, që ishte dënuar me burg përjetë nga gjykata e krimeve të rënda.
Vendimi për lirimin është dhënë nga gjyqtarja e shkallës së parë në Krujë Enkelejda Hoxha. Dokle ka qenë i dënuar me burg për jetë për disa vepra të rënda penale si pjesë e bandës së Durrësit.
Ky vendim u lanë në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 dhe nga ajo Kushtetuese 3 vite më vonë.
Por në Tetor të vitit të kaluar, dënimi i përjetshëm iu konvertua në 25 vite burg nga ana e gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Ditën e Martë ka qenë e njëjta gjyqtare e cila ka pranuar kërkesën e Endrit Dokles për të lënë qelinë. 36- vjeçarit i kishte mbetur edhe 5 vite dënim nga 25 vite në total.
Gjyqtarja Hoxha e ka argumentuar lirimin me 5 vjet para kohe të anëtarit të bandës së Durrësit me arsyetimin se ka kryer ¾ e dënimit, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore si dhe gjatë kësaj kohë ka pasur sjellje të mirë.
Dokle fitoi liri me kusht që të mos shoqërohet me persona me precedentë penal apo të kryejë vepra të tjera penale, ose të mbajë armë pa leje.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe prokuroria e Krujës që thotë se kërkesa e paraqitur nga Dokle, nuk plotëson kushtet ligjore. Për këtë prokuroria do të ankimojë vendimin, ndërsa ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit.
Dokle akuzohet së nën drejtimin e bandës së Durrësit vrau në Tetor të 2005 Avni Gashin dhe Ilir Koldashin në kryeqytet.