Një gjyqtare e Krujës rrëzon Kushtetuesen dhe liron nga burgu Endrit Doklen e bandës së Durrësit

2020-01-14 0

Lirohet ish-numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi sot që të pranonte kërkesën e avokatit për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke ia konvertuar në 25 vite, ndërsa më pas e ka liruar me kusht, 5 vite në shërbim prove (lexo ketu). Lëvizja kyçe për lirimin nga burgu të Dokles që ka qenë dënuar për grup të strukturuar kriminal dhe vrasje ishte kërkesa në shtator të vitit të kaluar për ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë në një burg të sigurisë së zakonshme. Kërkesa e tij u pranua po nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

"Vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle, ndryshimin e llojit të sigurisë së burgut për kërkuesin Endrit Dokle nga burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme, ngarkohet drejtoria e përgjithshme e burgjeve Tirane për zbatimin e këtij vendimi, shpenzimet gjyqësore sikur janë bërë, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit Tiranë sipas ligjit duke filluar nga e nesërmja e shpalljes se këtij vendimi. U shpall në Krujë sot me date 20.09.2019" ishte vendimi i shtatorit të vitit 2019.