Basha: S'heqim dore nga kerkesat per Zgjedhoren

2020-01-14 1

Opozita nuk heq dorë nga tre kërkesat e saj, të cilat i sheh si i vetmi mekanizëm për çuarjen përpara të Reformës Zgjedhore. Pjesë e kushteve nuk është më largimi i Damian Gjiknurit nga Komisioni i Reformës, kërkesë kjo e artikuluar fort pas daljes se përgjimeve të Dosjes 184 për zgjedhjet në Dibër.

Pas një takimi që zhvilloi në mesditë në selinë blu me aleatët e tij, Lulzim Basha tha se opozita është e angazhuar për ta miratuar sa më shpejt Reformën, që sipas tij, po zvarritet nga mazhoranca.

Por a është kjo tryezë sinjal pozitiv i asaj çka paralajmëroi nga Vjena, Kryeministri Rama, se nuk ka më krizë politike në vend? Basha thotë se kriza përfundon vetëm me zgjedhje.

Opozita ka deklaruar se në këtë fazë të Reformës nuk do të adresojë çështjen e sistemit. Në krah të aleatëve që kanë insistuar në ndryshimin e sistemit, Bashës iu desh ta përsëriste sërish se mbetet i hapur për çdo propozim në një fazë të dytë.

Opozita pritet ta bëjë publik draftin e saj brenda muajit Janar, me rekomandimet e Bundestagut dhe OSBE/ODIHR-it, përfshirë edhe çështjen e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje.

Tv Klan