Në përfundim të takimit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili e vlerësuan një hap të rëndësishëm tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, që do t'i kthejë besimin shqiptarëve tek procesi demokratik zgjedhor.
"Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe kjo gjithëpërfshirje e konsensus të shkojë deri në fund. Kemi asistencën ndërkombëtare. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të institucionalizohet një forum, Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer gjithë këtë reformë", tha Bylykbashi.
"E ndan një proces nga paanshmëri me garanci e ekspertizës ndërkombëtare që adreson çështjet që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit dhe zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri. Krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësinë të shprehen dhe të realizohet konsensusi që i ka munguar procesit. Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejt që në rast të përgjegjshmërisë së duhur do të ishte një mundësi për të ecur para dhe për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të blera", tha Vasili.
Sa i përket uljes në një tryezë me bashkëkryetarin e komisionit Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, i cili nga fotot që u shpërndanë nga takimi u shfaq mjaft dashamirës me të, u shpreh: Nuk imponojmë preferencat e palës tjetër, jemi me bindjen për ndërtimin e një procesi solid dhe të pakontestuar nga palët.