TIRANË - Opozita e bashkuar mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin si dy ndërmjetësuesit me mazhorancën dhe opozitën e re parlamentare për reformën zgjedhore. Për liderin demokrat Lulzim Basha diskutimet për reformën zgjedhore nuk duhet të bëhen më në parlament, por se zgjidhja vjen vetëm përmes një tryeze të përbashkët jashtëparlamentare me praninë e të gjitha forcave, por edhe të zërit qytetar përmes shoqërisë civile, prej nga të dalë një draft përfundimtar, i cili të miratohet me konsensus të plotë në Kuvend.Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ditën e sotme, shoqëruar nga ish-kreu i grupit parlamentar të partisë, Petrit Vasili, kanë shkuar në zyrën e kryedemokratit Lulzim Basha në selinë blu. Pas tyre, në selinë e Partisë Demokratike, ka mbërritur edhe kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Takimit i janë bashkuar edhe aleatë të tjerë, Dashamir Shehi i LZHK-së, dhe Agron Duka, i partisë Agrare Ambientaliste.
Takimi në selinë e Partisë Demokratike po zhvillohet për situatën politike dhe aksionin opozitar. Opozita jo parlamentare është në përfundim të draftit me propozimet e saj për reformën zgjedhore, ndërsa që ky proces është duke u zhvlluar edhe në Kuvend në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.