Report TV -I vetmi banor në pallatin e shkatërruar nga tërmeti: Ku t'i nxjerr plaçka dhe fëmijët

2020-01-11 0

Familja Qose me 4 anëtarë vijon të jetojë ende në pallatin e shpallur të pabanueshëm nga tërmeti i 26 nëntorit, duke rrezikuar jetën.

Godina e quajtur ?Pallati i Bardhë? në fshatin Halil të Fushë-Krujës pas dëmeve nga tërmeti i është shpallur i pabanueshëm nga grupet e eksperteve. Në këtë pallat ishin strehuar 10 familje, të cilat janë larguar tek të afërmit apo në ambiente me qira.E vetmja që nuk është larguar është familja e Astrit Qoses. Apartamenti i tyre është në katin e dytë dhe në pamundësi për të përballuar një banesë me qira ka vendosur të jetojë nën frikë bashkë me bashkëshorten dhe 2 fëmijët, se nga momenti në moment ky pallat mund të shembet.

I zoti i shtëpisë Astrit Qose thotë që nuk ka mundësi të paguajë qiranë dhe që ka aplikuar për bonos qiraje, por ende nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje.

"Kam bërë ankesë në bashki dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj të drejtë. as për çadër, asnjë lloj ndihme. Numri i telefonit nuk më ka kthyer asnjë përgjigje, më kanë thënë kur të të marrim vet për bonusin e qirasë. Nuk ka gjetur vend banimi, ku t'i nxjerr plaçkat, në rrugë të madhe? Me kalamajtë?", thotë kryefamiljari.

Sipas kryefamiljarit kur ai ka kërkuar çadër i kanë thënë që nuk ka dhe që të shkojë të jetojë të i ati i tij.

"Mua më kanë thënë shko strehohu tek pleqtë, kur pleqtë e mi nuk kanë vend për vete. Ndihmat kanë ardhur për çdo gjë, çadra ushqime, këtu kanë marrë pesona që nuk i takojnë, ushqime dhe strehim", shprehet Astrit Qose.

Ndërkohë një nga banorët që është larguar nga pallati pasi u dëmtua nga tërmeti Imer Keçi thotë që duam që pallati të rindërtohet në të njëjtin vend. Banorët nuk janë dakod që të zhvendosen nga fshati.

"Kërkesa e banorëve të pallatit është që ky pallat duhet të rindërtohet po këtu për arsye se të gjithë banorët punojnë këtu dhe janë të pajisur me tokë dhe kanë investuar prej kaq vitesh. "Ne e duam pallatin këtu", thonë ata. Se thuhet që ne do të spostohemi do të dalim diku andej nga Fushë-Kruja", thotë ai.

Në zonën e Krujës krahas banorëve që vijojnë të qëndrojnë në çadra ka ende nga ata të cilët nuk janë larguar nga shtëpitë e tyre edhe pse janë shpallur të pabanueshme nga grupet e ekspertëve.