Deputeti socialist Alket Hyseni në një intervistë për gazetaren Klesiana Omeri ekskluzivisht për emisionin 'Pa Protokoll' ka deklaruar se shumë shpejt do ketë ecuri në hartimin e Reformës Zgjedhore dhe lidhur me këtë nuk do ketë asnjë kontestim nga opozita parlamentare dhe ajo jo parlamentare, nisur nga retorikat që ata kanë përdorur në media përgjatë ditëve të fundit.
"Unë nuk e di për palët e tjera por mazhoranca ka filluar punën për Reformën Zgjedhore e cila sot është një domosdoshmëri, e cila është një nga kushtet e shtuara në procesin e integrimit. Sinjalet për integrimin janë pozitive dhe besojmë se kjo do të vazhdojë në detyrën tonë në kuadër të kësaj reforme. Ne kemi vazhduar punën dhe komunikimin me njëri tjetrin. Së shpejti do të kemi një mbledhje të komisionit dhe besoj se dhe faktorë të tjerë politikë kanë shprehur një vullnet, si opozita parlamentare dhe ajo jo parlamentare. Në këtë kontekst do kemi një ecuri në hartimin e Reformës Zgjedhore. Ajo do të sjellë një proces zgjedhor në të nesërmen që do të jetë i pranueshëm edhe nga palët. Besoj se nuk do ketë kontestime as nga palët. Unë nuk mund të flas për një marrëveshje të mundshme konkrete. Ajo që presim nga opozita në kuadrin e ekspertizës është të zgjedhin sugjerimet e tyre. Ne nuk kemi pritur që të ketë të njëjtin qëndrim për ne, por për çështjet madhore jam i bindur se do te ketë një qëndrim. Unë jam ndjerë krenar kur Shqipëria ka marrë drejtimin e OSBE-së. Ka ardhur dita që Shqipëria të jetë drejtuese e saj. Nuk ka forcë asnjë faktor apo grup faktorësh t'i imponohet një mazhorance të zgjedhur nga vota dhe rrugës që po ndjek Shqipëria", tha Hyseni.