Kastriot Reci u vra nga nje arme me dylbi e silenciator

2020-01-09 6

Ky është snajperi me të cilin u qëllua për vdekje 47-vjeçari, Kastriot Reçi, paraditen e së martës në qendër të Rrëshenit. Autori ka qëlluar vetëm një herë në drejtim të viktimës duke e lënë të vdekur në vend.

Arma që po e shihni në këtë foto, ishte e pajisur me silenciator dhe me dylbi dhe ka një precizion të lartë. Snajperi është i markës Sabati, prodhim italian dhe kushton rreth 3 mijë euro.

Nga zbardhja e kamerave të sigurisë shihet se autori ka zbritur nga një makinë tip Benz tip fuoristradë gri në orën 06:35. Ai është i veshur me një xhup të çelët dhe në kokë mban një kapele. Nga bagazhi shihet se ka marrë një çantë si ato që përdoren për gjah. Sipas hetimeve të para, ai ka qëndruar mbi 5 orë në banesën e katit të 9 të këtij pallati, në një distancë prej rreth 150 metrash nga vendi ku ndodhej Reçi.

Siç duket edhe në këtë skemë grafike, 47-vjeçari Reçi u qëllua pak sekonda pasi zbriti nga një automjet tip Benz. Në momentin kur u ekzekutua ishte nën shoqërinë e një gruaje dhe një fëmije. Ndërsa autori ka dalë me shpejtësi nga pallati menjëherë pas ngjarjes.

Në pamje duket i kamufluar me një paruke femre dhe fustan të zi. Në dorë mban sërish një çantë. Në dalje të Rrëshenit, pranë tregut të perimeve ai ka hedhur paruken, një pelerinë dhe një palë këpucë burrash. Në apartament është gjetur një kanatjere dhe një pako me kikirikë.

Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona dhe pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. Në të njëjtën kohë është vendosur një shpërblim prej 2 milionë lekësh për çdo informacion që do të çonte në kapjen ose identifikimin e autorëve.

Tv Klan

Free Traffic Exchange