Teksa u pyet për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vjena se si kryetar në detyrë i OSBE, do të punojë që kjo krizë mes dy vendeve të mos thellohet. Rama duke iu përgjigjur gazetarëve është shprehur se do të punojë mbi bazat e marrëveshjes së Minskit ku edhe Rusia edhe Ukraina janë dakord me të.
"Theksoj atë që unë thash, në paraqitjen time. Kryesuesi i OSBE unë nuk duhet të shprehë qëndrime, pikëpamje që mund të jenë të natyrshme kur flas si kryeministër i Shqipërisë, por në këtë pozitë që jam si kryesues i OSBE kjo nuk do të jetë njësojë. Kështu si kryesues i OSBE është të nxisë dialogun dhe mënyrën për të ecur përpare dhe të garantojmë paqe. Kriza në Ukrainë dhe rrotull saj është një sfidë shumë e madhe në Evropë. Duhet të mbështesim punën e monitoruesve në këtë zonë. Të punojnë me përfaqësuesin special . Të jemi sa më pozitiv që dy vendet të ruajnë paqen. Jam fuqimisht i angazhuar me vizitën në Rusi, që kjo krizë me Ukrainën të mos shkallëzohet më tej. Në mënyrë të vazhdueshme që të zbatohet marrëveshja e Minskit. E kemi marrë si bazë të njohur nga të dyja palët. " tha Rama.
Më tej Rama është pyetur sërish për pushtimin e Krimes nga Rusia, ndërsa kryeministri është shprehur se për këtë çështje nuk mund të flasë si një person i vetëm pasi do të jenë të gjitha shtetet që do të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij problemi.
"Qëllimin e kam thënë. Ne duhet të shikojmë të gjitha mënyrat e mundshme që t;i sjellim palët afër njëra tjetrës. Qeveria e Shqipërisë kemi qenë të hapur për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Por si kreu i OSBE nuk mund të jem kaq i hapur. Këto 57 shtet do të jenë bashkë për të ndihmuar për të zgjidhur këtë. Jam këtu që të zgjidh probleme, i uroj fat vetës dhe sekretarit të përgjithshëm në këtë rrugë. " tha Rama.