Irani kercenon Shqiperine: Ka bere komplot me SHBA

2020-01-08 4

Irani fut edhe Shqipërinë në listën e armiqve të saj, vetëm pak orë pasi goditi dy baza ushtarake amerikane në Irak. Udhëheqësi suprem, Ayatollahu Ali Khamenei foli me tone kërcënuese, duke thënë Shqipëria ka bërë komplot me Shtetet e Bashkuara kundër vendit të tij, ndonëse nuk e përmendi me emër.

?Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i djallëzor ka bërë komplot me SHBA dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit?.

Shqipëria është vënë në qendër të kritikave të regjimit iranian për shkak të strehimit të 3 mijë muxhahedinëve, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I pyetur për këtë çështje, Kryeministri Edi Rama tha nga zyrat e OSBE-së në Vjenë, se strehimi i muxhahedinëve nuk e ekspozon vendin tonë, pasi Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me Washington-in.

?Është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën e traditës shqiptare, në vazhdën e një aleance të padiskutueshme me SHBA, për të mikpritur, apo për t?i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. Ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar. Unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë, dhe nuk kemi arsye ta besojmë këtë, se ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë, dhe kur është puna tek inteligjenca ata janë të pakonkurrueshëm botërisht, dhe në këtë rast ne jemi në duar të sigurta, kur është fjala tek marrja e informacionit. Nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë. Jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces?.

Për shkak të strehimit të muxhahedinëve në kampin e Manzës, autoritetet shqiptare thonë se shërbimet ushtarake iraniane kanë tentuar të kryejë akte terroriste në Shqipëri.

Në Tetor të vitit të kaluar Policia Shqiptare tha se një celulë prej 4 personash, anëtarë dhe bashkëpunëtorë të njësisë ushtarake iraniane Quds, dështuan të sulmonin Kryegjyshatën Bektashiane Botërore, në Mars të vitit 2018, pas arrestimit të 3 iranianëve nga Antiterrori, të cilët ishin paraqitur si gazetarë.

Si pasojë e këtij hetimi, Tirana dëboi Ambasadorin e Iranit dhe një diplomat i Ambasadës Iraniane për cënim të sigurisë kombëtare.

Ministria e Jashtme u bëri thirrje këtë pasdite qytetarëve shqiptarë që për shkak të tensionimit të situatës pas vrasjes së gjeneralit Kasem Sulejmani nga Shtetet e Bashkuara, të shmangin udhëtimet në drejtim të Lindjes së Mesme, kryesisht në Iran dhe Irak. Ndërsa shtetasit shqiptarë që ndodhen në këto dy vende dhe që kanë nevojë për asistencë, mund të kontaktojnë Ambasadën tonë në Kuvajt.

Tv Klan

Free Traffic Exchange