Report TV-GJKKO rrëzon SPAK: Rihetoni 3 gjyqtarët që shpëtuan nga burgimi i përjetshëm Dritan Dajtin

2020-01-06 2

TIRANË - Gjykata e Porsaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendos të mos pranojë kërkesën e Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) për pushimin e çështjes të gjyqtarëve që ndryshuan vendimin për Dritan Dajtin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg për vrasjes e 4 policëve në Durrës në vitin 2009. Gjyqtarja Miljana Muca i kërkoi prokurorit të SPAK, Klodian Braho, të rihetojë tre gjyqtarët e Apelit që i pranuan gjykimin e shkurtuar Dritan Dajtit. Sipas gjyqtares hetimet e SPAK, prokurorisë së posacme kundër krimit dhe korrupsionit nuk janë të plota dhe duhet rihetuar nëse ka pasur apo jo korrupsion të gjyqtarëve

Për gjyqtarin në Gjykatën e Apelit në Vlorë, Skënder Damini, Petrit Aliajn gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, dhe Aleks Nikolla gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër, dyshimet janë për kryerjen e veprës penale korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë të drejtësisë dhe shpërdorim të detyrës. Pas një viti hetimi dhe zgjatje dy herë të hetimeve iu drejtua gjykatës për pushim. Kjo kërkesë e SPAK u rrëzua ndërsa pritet që Prokuroria e Posaçme të vendosë se çfarë veprimesh do të kryejë për këtë dosje.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie. 

Më 3 shkurt 2019, tre gjyqtarëve të Apelit që shpëtuan Dajtin nga dënimi përjetë iu kontrollua banesat në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë. Në banesën e Skënder Daminit në Tiranë, policia gjeti një vlerë monetare rreth 17 mijë euro si dhe disa municione luftarake. Paratë, sipas hetimit të prokurorisë, rezultuan se ishin të djalit të tij nga aktiviteti i biznesit, ndërsa fishekët thanë burime për Report Tv i përkisnin armës që gjyqtari kishte pasur me leje dhe e ka dorëzuar në polici. Për fishekët e pa dorëzuar, procedimin penal SPAK e ka transferuar në prokurorinë e Tiranës.