Uljen e temperaturave, reshjet e shiut, ngricat dhe stuhinë e erës mbrëmjen e sotme që shkuli pemët më shumë se kushdo tjetër në këtë dimër po e vuajnë banorët e prekur nga tërmeti që janë strehuar në çadër, që janë mbi 10 mijë në Durrës, Thumanë dhe Lezhë.
Kamera e Report Tv ishte mbrëmjen e sotme në një prej çadrave në Fushë Krujë ku është strehuar një çift të moshuarish me fëmijët. Gruaja e moshuar tregon për Report Tv kushtet e vështirë, pa ujë, drita dhe në të ftohtë. Flutura Zela ka dy djem invalidë dhe të sëmurë mendorë. 'Nesër do na gjejnë të vdekur' thotë ajo ndërsa bën apel për ndihmë për fëmijët.
"Si brenda si jashtë njëlloj është. Po vdesim këtu, ftohti ka për të na marrë shpirtin. Jam duke vdekur. Në këto kushte, pa drita, ftohtë, djali sëmurë. Nuk kemi për të jetuar kështu. Kanë për të na marrë jetën. Sot nuk ka qenë asnjë. Kjo (çadra) është me vdekur para kohe.
A mban nxehtësi kjo (çadra), na ka zënë kjo punë. Po e vuajmë jashtë mase të ftohtin. Zoti e bëftë mirë, se më keq nuk ka ku shkon. Kur ra tërmeti rashë dhe u bëra copë nga këmbët, akoma nuk jam shëruar. Jemi në ditë shumë të vështirë" shprehet ajo.
Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në zonat rurale nuk kanë pranuar që të zhvendosen në hotele pasi kanë bagëtitë dhe nuk kanë pranuar të lënë shtëpitë duke qëndruar në çadër. Brenda vitit 2020 qeveria ka premtuar ndërtimin e banesave të reja. Ndërsa në qytet, fillimisht të prekurit nga tërmeti u strehuan në hotele, ndërsa tashmë duhet të zhvendosen në banesat me qira, që ua ka subvencionuar vetë shteti.