Tërmeti i 26 nëntorit ka lënë plagë të thella për vendin tonë. Përveç jetëve të marra, mijëra familje të tjera kanë mbetur në qiell të hapur. Kamera e Report Tv ditën e sotme ka shkuar pranë familjeve të prekura nga tërmeti në Thumanë të cilët janë ende në çadra. Shumë prej familjeve që jetonin në pallat janë strehuar në banesa me qira ndërsa ata që kanë patur shtëpia private janë lënë në çadra, për shkak edhe të bagëtive që kishin.
Familja Koxha në Thumanë jeton vetëm pensionin që merr kryefamiljari dhe pensioni i bashkëshortes së tij e cila prej 30 vitesh vuan nga epilepsia. Sipas kryefamiljarit dimri është shumë i vështirë për tu kaluar në çadër pasi bën ftohet dhe nuk kanë asnjë mundësi ngrohje përveçse batanijet. Ai ka edhe një apel për shtetin duke thënë se nga ata kërkon vetëm që të vijnë dhe ta pyesin nëse është gjallë apo jo. Sipas zotit Koxha të ardhurat janë të pamjaftueshme dhe se nuk e di si do të ja bëjë që të kalojë dimrin. Ndërkohë ai shprehet se Vitin e Ri e ka kaluar në çadra dhe nuk ka patur se me çfarë të festojë. I pyetur në lidhje me bonusin e qirasë ai është shprehur se ende nuk e ka marrë, ndërsa pranon se në banesat me qira nuk është zhvendosur për shkak se ka gruan të sëmurë dhe bagëti që nuk i le dot vetëm.
"Ra i pari por u futem, kur ra i dyti frigoriferi na kishte zënë derën. Kjo është një gjë natyrore, por ne e dimë se nuk përballohen kollaj por të paktën të vijnë ndonjëherë të na shohin a jemi gjallë, Ca ushqime i ka sjellë. Batanije por jemi shumë në zor. Shteti duhet të na shohin. Ne kemi jetuar këtu që kur ka ra tërmeti. Unë kam gruan e sëmurë me epilepsi dhe jam i detyruar të rri me të. Ndryshe do kisha ikur edhe unë, por kam edhe një lopë, por edhe ca gjëra brenda në shpi. Edhe bashkisë e qeverisë nuk i bimë dot në qafë. Kam nejt 20 vjet në ruajtje të kufijve por sot nuk e përballoj dot. Nuk kam parë 31 dhjetor me sy. Këtu e kam kalu. Nuk ka patur me hëngër. " tha kryefamiljari Koxha.
"Banus qiraje për ata pallatet. Sa të kalojmë këtë dimër, Ishalla e bën zoti mbarë. Skam aplikuar për bonusin e qirasë. Më thanë hajde në Tiranë, por unë nuk rri dot në Tiranë. Nuk ka ardhur njeri, vetëm ai i bashkisë dhe më ka thënë mos u fut brenda. E kemi gjet ndonjë copë dru edhe tek ata pallatet që janë shemb, por çadrën nuk e çajmë dot të nxjerrim tubin e sobës. Në oborr ftohtë është. Le të vijnë vetëm me sy të na shikojnë. Kam punuar, jam në pesnion 86 mijë lek por as kafe nuk më dalin. Nuk kam ansjë të punësuar vetëm gruaja që merr 160 mij lek. Djali naj herë ik në Greqi, por ska cte beje. Ne shkollë nuk kemi. Sa të kenë mundësi të na ndihmojnë. Shtetit nuk kam ca ti them vetëm të vijnë të na thonë vetëm të vijnë të na shohin a jemi gjallë. A jeni gjallë a keni vdekur. Shteti e bashkia nuk ka mundësi strehimi. Shteti vetëm të vij të na thotë a je gjallë a jo. " shtoj më pas ai.