Një stuhi e pazakontë ka goditur disa qarqe të vendit pasditen e së dielës. Pemë të rrëzuara, depozita të rëna nga pallatet, linja elektrikë të këputura si dhe lundrime të pezulluara janë disa nga pasojat.
Ky është momenti kur era e fortë rrëzoi pemën e Krishtlindjes në sheshin ?Skënderbej?.
Fatmirësisht nuk pati njerëz të lënduar. Kjo depozitë ra nga tarraca e një pallati në Komunën e Parisit. Për pasojë, shkaktoi panik të madh tek qytetarët, por fatmirësisht pa pasoja.
Rrëzimi i një peme bllokoi për disa minuta rrugën ?Themistokli Gërmenji? në kryeqytet.
Probleme ka pasur edhe në rrugën ?Komuna e Parisit?, ku u rrëzuan pemë dhe shtylla elektrike.
Emergjencat Civile thanë se era ka patur shpejtësi mesatare nga 5 deri në 10 metra në sekondë. Maksimalja u regjistrua në Tiranë, 18 metra në sekondë.
Për shkak të erës së fortë, rënia e pemëve dëmtoi linjat e tensionit të nënstacionin të Selitës. Për pasojë, në zonë u ndërpre energjia elektrike.
Një defekt në linjën 110 kilovolt la në errësirë edhe zonën e Fushë-Krujës. Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë afër pallateve dhe objekteve të ndryshme, për të shmangur aksidentet.
Në portin e Durrësit janë pezulluar lundrimet e trageteve drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të detit të trazuar.
Era do të jetë e fortë edhe në orët e vona të mbrëmjes si dhe mëngjesin e së hënës. Situata pritet të përmirësohet gjatë mesditës, ndërsa të martën moti do të normalizohet.