Moti i ftohte dhe debora mbulon vendin

2020-01-06 1

Të dielën temperaturat janë ulur disa gradë, ndërsa në vendet malore termometri zbrit disa gradë nën zero. Moti i keq dhe reshjet e borës kanë mbuluar disa zona në veri dhe juglindje të vendit.
Gjatë mëngjesit të së dielës ka patur vështirësi në qarkullimin e makinave në aksin e Korçë- Ersekë në pjesën fundore të Qafës së Qarrit dhe Urës së Dukës. Ky segment ka prezencë të konsiderueshme akulli dhe qarkullohet me zinxhirë. Aktualisht në këtë zonë po punojnë dy borëpastruese.
Në rrugët drejt destinacioneve turistike, Dardhë dhe Voskopojë lëvizja e automjeteve bëhet pa zinxhirë, ndërsa borëpastrueset po punojnë edhe në fshatrat e thellë, Floq, Vithkuq, Shtyllë e Panarit.
Sipas Autoritetit rrugor Shqiptar në veri të vendit reshje më të theksuara bore ka në Stëblevë ku ka nisur pastrimi i rrugës dhe trajtimi me kripë. Dëbora ka mbuluar edhe Tropojën, Dibrën dhe Kukësin por pa sjellë probleme me qarkullimin.
Në të gjitha këto akse sipas Autoritetit Rrugor qarkullohet pa zinxhirë ndërsa bën thirrje që drejtuesit e mjeteve të reduktojnë shpejtësinë.
Disa udhëtime me traget nga Durrësi në Bari janë mbyllur deri në një urdhër të dytë nga kapiteneria e portit të Barit. Kërkesa është bërë nga autoritetet italiane, ndërsa pjesa e linjave të tjera të trageteve në Durrës është në funksion, pavarësisht dallgëve të shumta dhe erës së fortë.
Sipas parashikimit të sinoptikanëve temperaturat do të ulen disa gradë më shumë gjatë ditës së hënë, ndërsa i ftohti pritet të na shoqërojë gjatë gjithë pjesës së parë të janarit.

Free Traffic Exchange